Lajme

Berisha: 200 mijë zgjedhës ishin transferuar në qytete të tjera në 14 maj

Ish-kryeministri Sali Berisha mbajti këtë të enjte një deklaratë për mediat ku renditi disa pika që sipas tij kanë ndikuar në mënyrë të paligjshme në rezultatin e zgjedhjeve.

Berisha tha se kryeministri Rama në bashkëpunim me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, ndryshuan qendrat e votimit të 1.3 milionë zgjedhësve.

Sipas ish-kryeministrit dita e votimit ishte ditë e përjashtimit të më së paku mbi 200 mijë zgjedhësve shqiptarë, emrat e tyre ishin transferuar në qytete të tjera.

“Blerja e votës nuk u shfaq për herë të parë në farsën e vitit 2023. Ajo është denoncuar nga shqiptarët, mediat shqiptare dhe ndërkombëtare, komisionet e vëzhgimit dhe në raste të tjera.

Por, në këtë farsë, si kurrë më parë, ndërhyrja ishte e atyre përmasave të tmerrshme sa rrëzoi euron, monedhën më të fuqishme të Europës, në nivele që ajo nuk i kishte përjetuar kurrë më parë.

Pra, ky është një tipar i industrisë mafioze shtetërore të blerjes së votës.

Por, farsa elektorale e majit 2023, gërshetoi në mënyrën më të shëmtuar dy stile të farsave elektorale. Stilin e narkoshtetit dhe mafies së tij me stilin Putin, i cili parakupton përdorimin e të gjitha mjeteve të shtetit për kontrollin e votës së lirë të qytetarëve dhe ndryshimin e rezultateve.

Në dallim nga zgjedhjet e mëparshme, në këto zgjedhje u rikthye me të gjithë pasojat e shëmtinë e tij, loja me listat e votimit, përjashtimi i zgjedhësve nga qendrat e votimit nëpërmjet listave të votimit.

PD e denoncoi publikisht aktin kriminal elektoral të Edi Ramës dhe ministrit të familjes së tij, Çuçi, të cilët ndryshuan qendrat e votimit të 1.3 milionë zgjedhësve.

PD e denoncoi këtë akt si një përpjekje brutale për t’u mohuar të drejtën e votës sipas bindjeve politike qytetarëve shqiptarë.

Dita e votimit ishte ditë e përjashtimit të më së paku mbi 200 mijë zgjedhësve shqiptarë. Emrat e tyre ishin transferuar në qytete të tjera, në zona të tjera. Pa asnjë paralajmërim dhe në kundërshtim me çdo ligj të vendit.

Vetë KQZ pohon se për këtë shkak nuk votuan ditën e votimit 180 mijë shqiptarë, të zgjedhur me garanci të plota në bazën e kriterit të bindjeve politike”, tha Berisha.




Burimi Euronews

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button