Alarme për bombë në shkollat e Serbisë, evakuohen nxënësit e mësuesit

Pas masakrës ku mbetën të vrarë 8 nxënës dhe një roje sigurie, një seri kërcënimesh për bombë është bërë në shkollat fillore dhe ato të mesme të Serbisë.
Të mërkurën në Beograd, institucionet regjistruan një valë paralajmërimesh për pajisje shpërthyese të vendosura në shkolla.
Ministria e Arsimit konfirmoi se në 78 shkolla fillore dhe 37 të mesme në Beograd u dërguan email-e për sulme me bomba, vetëm dy javë nga tragjedia që tronditi vendin.
Policia dërgoi grupe të specializuara në terren për të hetuar kërcënimet, ndërsa studentët dhe mësuesit e shkollave u evakuuan.
Nuk ka pasur të dhëna për bomba të gjetura në shkolla dhe policia duhet ende të bëjë një raportim të qartë.
Masakra e parë në shkollë në historinë moderne të Serbisë ndodhi dy javë më parë kur një 13-vjeçar mori armën e të atit dhe vrau 8 shokë klase dhe rojën e sigurisë.
Një vajzë që mbeti e lënduar nga incidenti ndërroi jetë të hënën pavarësisht përpjekjeve të shumta të mjekëve për t’i shpëtuar jetën, duke e çuar numrin e viktimave në 10.
Një ditë pas ngjarjes, një 21-vjeçar hapi zjarr ndaj banorëve në qytezën Mladenovac, duke vrarë 8 persona, përfshirë një oficer policie dhe plagosur 14 të tjerë.
Dy episodet e dhunshme shkaktuan zemërim dhe debate mbi kulturën e dhunës që është e pranishme në shoqërinë serbe që pas luftërave që shpërbënë Jugosllavinë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç njoftoi një nismë për dorëzimin e armëve dhe qytetarët kanë dorëzuar mbi 15 mijë armë të paregjistruara, në këmbim të amnistisë nga veprat penale.
LEXONI GJITHASHTU: