Belind Këlliçi publikon të gjitha dëftesat që nga klasa e parë deri te diplomat e titujt: E mbarova shkollën para kohe

Belind Këlliçi, kandidati i koalicionit ‘Bashkë fitojmë’ për bashkinë e Tiranës, ka publikuar sot të gjitha dëftesat e tij, që nga klasa e parë deri tek diplomat dhe tituj e marrë.
Këlliçi ftoi për të disatën herë kryebashkiakun Velian në debat publik ndërsa i kërkoi që të tregojë edhe ai diplomat që ka marrë në universitet.
“Unë do të tregoj që të bëjmë transparencë për të gjithë qytetarët, se e kam unë merak, meqë ky Veliaj ‘është me shkollë’ dhe unë ‘pa shkollë’.
Meqenëse kam mbi një muaj që e ftoj të vijë në studio dhe të flasim edhe për këtë çështje.
Meqënëse më keni pyetur mbi dhjetëra herë, meqënëse s’kanë lënë studio pa më pyetur për këtë temë, a ka mundësi të më lini pesë minuta të krenohem për një nga arritjet e mia më të mëdha në jetë.
Për kuriozitet kam gjetur edhe semestrin e parë të klasës së pare. Të lutem, mund ta shohësh: Abetare shumë mirë, Matematikë, Edukatë, Vizatim, Këngë. Mësuese Drita Vorfi.
E përshëndesim zysh Dritën. Kjo është shkolla tetëvjeçare ‘Pjetër Budi’. Urdhëro, ja ku e ke, klasa e dytë. Urdhëro, klasa e tretë. Klasa e katërt, klasa e pestë. Klasa e gjashtë, zotëri. Ja edhe klasa e tetë.
Urdhëro dhe vitin e parë në “Harry Fultz” meqë e kanë merak.
Ja edhe viti i dytë, viti i tretë në “Harry Fultz”.
Urdhëro dhe të katërt vitet bashkë, sepse është një vërtetim që e kam marrë me vete, ky është një vërtetim që e kam marrë tani për notat, për katër vitet e përfunduara, por kurrikulën, vërtetimin e lëndëve i kam marrë si dosje se i kam marrë me vete në Amerikë.
Këtu janë katër vitet, sepse më duheshin 12 vite shkollim parauniversitar për të shkuar në universitet. Këto janë të katër vitet e “Harry Fultz” dhe të bëhet publike”, tha Këlliçi, i cili nga ato që janë publikuar, dyshohet se nuk ka diplomë të shkollës së mesme.
“Dhe tani do t’ju nxjerr diçka që, ftoj Erion Veliajn, meqë është i diplomuar njëlloj si unë, të nxjerrë këtë. Kjo është diploma në universitet. Universiteti! Urdhëro, zotëri! Ta nxjerrë me vulë ai po qe se e ka dhe ta tregojë. Edhe me këtë vulën këtu, se këtë vulën nuk e ka ai. I mungon kjo këtu atij. Urdhëro edhe bachelor.
Kam shkuar e kam dhënë të gjitha testet, me SAT, me provime pranimi, me intervistë personale; kam marrë bursën për të tenisit dhe të gjithave dhe kam hyrë në universitet. Për shkak të notave të larta, që në prill të 2008-ës, jam anëtar i shoqërisë “Sigma Beta Delta” në biznes, në Amerikë – për shkak të notave të larta në universitet.
E meqë jam diplomuar dhe në SHBA, e kisha zakon që duhet t’i mbaroj pak më shpejt gjërat e jam diplomuar për shtatë semestre e jo për tetë dhe kam marrë (jo që s’më thotë njeri gjë), por kam marrë edhe këtë medaljen. Ja çfarë të bën Amerika kur je i zgjuar dhe kur i bën hyzmetin”, tha ai.
Burimi LEXO.AL