Fluturime me parashutë në Gjirokastër

Fluturimet me parashutë kanë mbledhur në aerodromin e Gjirokastrës 30 parashutistë amatorë nga Italia si dhe të apasionuar pas sporteve të ajrit.
Aktiviteti tre ditor organizohet si bashkëpunim i shoqatës “Sky dive Albania” dhe Shoqatës Italiane të Parashutistëve.
Lëshimet me parashuta nga avioni ishin spektakolare dhe dhuruan emocione edhe për shumë pjesëmarrës amatorë. Mes të tjerash organizime të tilla promovojnë vlerat turistike të Gjirokastrës.
“Gjirokastra është një qytezë e bukur, që po na pret mjaft mirë. Morëm ftesën per të ardhur dhe fluturuar këtu, e mirëpritëm me kënaqësi shpresojmë të rikthehemi edhe në të ardhmen”, thotë një parashutist italian.
“Promovim shumë i madh të them të drejtën sepse për çdo person që kthehet në shtëpinë e tij fillon dhe flet me pjesëtarët e familjes, me shoqërinë, me kolegët e punës, dhe bëhet promovimi i vendeve ku kanë qenë që kanë parë Gjirokastrën, që kanë parë Sarandën, që kanë parë Vlorën, Tiranën, kështu që janë ata kartëvizita më e mirë për sa i përket turizmit. Në momentin që turisti ngelet i kënaqur për herë të parë, është ai turist që të sjell gjithmonë e më shumë turistë të tjerë dhe turistët cilësojnë në një farë mënyre, japin dhe këshilla në vendet ku të venë sidomos në strukturat që ndihen të kënaqur”, shprehet Egestina Levani, Sky Dive Albania.
Vitin e kaluar aeroporti i Gjirokastrës u certifikua për fluturimet turistike dhe sportive. Përgjatë 2023 në mjediset e tij po organizohen aktivitete me profil kombëtar dhe ndërkombëtar, duke promovuar edhe vlerat turistike të Jugut të vendit.
Sipas specifikimeve të certifikimit lejohet ulja e avionëve të vegjël me peshë deri në 5700 kg nga lindja deri në perëndim të diellit vetëm në kushte të përshtatshme atmosferike.
LEXONI GJITHASHTU: